Sh.F.M.U. Eqrem Cabej

Faqja zyrtare e shkolles.

Valfabrika ndihmon me mjete didaktike sh.f “Eqrem Qabej”

on April 3, 2012

Komuna e Valfabrikës nga Italia, me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ka dhuruar një kontingjent mjetesh didaktike për shkollën fillore “Eqrem Qabej” në Mitrovicë.

Në ceremoninë e organizuar në këtë shkollë ku morën pjesë përfaqësuesit e karabinierëve italianë që shërbejnë në Kosovë, ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili ka vlerësuar shumë mbështetjen nga Komuna e Valfabrikës.

Kastrati ka thënë se këto mjete të punës do të ndihmojnë mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle për ngritjen e mëtejme të cilësisë në mësim.

“Shprehim falënderimin tonë më të sinqertë për këtë mbështetje nga Komuna e Valfabrikës. Falënderojmë qytetarët e këtij qyteti mik të Italisë, të cilët në këtë ditë të shënuar për shkollën shqipe na kanë dhuruar një kontingjent mjetesh didaktike”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa, komandanti i karabinierëve në Kosovë, kolonel Mauro Isidori, ka shprehur kënaqësinë që sado pak kanë mundur të ndihmojnë nxënësit e kësaj shkolle. “Është vërtetë kënaqësi të ndihmosh fëmijët, meqë në këtë mënyrë ndihmohet e ardhmja e një vendi”, tha ai.

Në ceremoninë e organizuar në shkollën “Eqrem Qabej’, ku u shfaq edhe një program artistik nga nxënësit e shkollës, u lexua edhe një letër përshëndetjeje nga ana e kryetarit të Komunës së Valfabrikës, Oriano Anastasi. Ai kishte shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me komunën e Mitrovicës për projekte në të mirë të qytetarëve.

Përveç mjeteve didaktike për sh. F. “Eqrem Qabej”, prej Komunës së Valfabrikës ishin dërguar edhe një kontingjent kontejnerësh, të cilët ju dhuruan ndërmarrjes ndërkomunale “Uniteti”./Kosovapress/


%d bloggers like this: