Sh.F.M.U. Eqrem Cabej

Faqja zyrtare e shkolles.

Laptopë në vend të ditarit

on April 3, 2012

Laptopë në vend të ditarit

Bekë Abazi | 24-01-2012 11:49 CET

Shkolla fillore “Eqrem Çabej” në Mitrovicë, është vlerësuar si më e suksesshmja në Republikën e Kosovës, sa i përket realizimit të projektit E-shkolla. Në bazë të këtij pilot-projekti, puna administrative e mësimdhënësve bëhet në mënyrë të digjitalizuar.

Drejtoresha e shkollës, Sanie Raifi, tha se të gjithë mësimdhënësit janë të pajisur me laptopë, ku mbajnë të gjitha shënimet për nxënës. Ajo tha se laptopët zëvendësojnë ditarin. Aty shënohen notat e nxënësve, mungesat…

E mira e këtij projekti, sipas saj, është mundësia që ofrojnë laptopët, të cilët janë të lidhur me internet për të përcjellë punën që bëhet nga mësimdhënësit. Sipas saj, ky pilot-projekt i Ministrisë së Administratës Publike është treguar i rëndësishëm për mësimdhënësit dhe për nxënësit.

Për të parë ecurinë e zbatimit të këtij pilot-projekti, të hënën këtë shkollë e ka vizituar ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, me zëvendësministrin e Arsimit, Nehat Musa dhe nënkryetarën e komunës, Riza Haziri. Ata vlerësuan se kjo praktikë duhet të përdoret edhe nga shkollat tjera.

Ministri Jagxhillar u shpreh i kënaqur që pilot-projekti E-shkolla po tregohet i suksesshëm.

“Kemi nisur këtë pilot-projekt në tri komuna dhe në pesë shkolla. Në Mitrovicë kanë përfituar dy shkolla dhe tash po shohim se po ka sukses. Qëllimi i pilot-projektit E-shkolla është avancimi i punës në aspektin administrativ nëpër shkolla”, tha ai, duke njoftuar se nëse ky projekt tregohet i suksesshëm sikur në shkollën fillore “Eqrem Çabej”, atëherë në bashkëpunim me MASHT-in do të vazhdojnë këtë nismë edhe në shkollat tjera.

Për këtë pilot-projekt, që ka nisur në pesë shkolla, janë investuar 240 mijë euro dhe me laptopë janë pajisur 125 mësimdhënës.

Si një projekt që avancon punën në shkolla dhe ngrit nivelin e përgjithshëm të procesit arsimor, e vlerësoi edhe zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ndërsa nënkryetari i komunës, Riza Haziri, vlerësoi punën e mirë që po bëhet nga drejtuesit dhe mësimdhënësit e shkollës “Eqrem Çabej”.


%d bloggers like this: